Date: 17.04.2021

Author: Vigan Perani

Efiçienca e energjisë sjell rezultate (dhe jo vetëm në aspektin e parave)

Më shumë se 50% e energjisë elektrike në Kosovë përdoret nga sektori i banimit, 80% e së cilës përdoret për ngrohjen e ujit dhe hapësirës. Çfarë mund të bëjmë në ekonomitë tona familjare për të qenë më efiçientë ndaj energjisë?

Jemi duke hyrë në muajt e verës, por ia vlen të kujtohet se si në çdo sezon të dimrit në Kosovë, kur bien temperaturat dhe rritet nevoja për ngrohjen e shtëpive dhe apartamenteve, të gjithë fillojmë të flasim për koston e ngrohjes dhe energjisë elektrike. Ne kemi qenë dëshmitarë të diskutimeve intensive në qarqet shoqërore, media apo deklarata institucionale në lidhje me masat që mund t‘i marrim në uljen e kostos për familjet kosovare dhe kursimin e energjisë elektrike për vendin.                                          Megjithëse masat e efiçiencës së energjisë mund t‘i adresojnë plotësisht ose pjesërisht të gjitha këto çështje, hartimi dhe implementimi i zgjidhjeve të tilla në Kosovë janë akoma në fazat fillestare.     Meqë kërkesa për energji elektrike në Kosovë tejkalon furnizimin, kursimi i energjisë përmes masave të efiçiencës paraqet një nga qasjet kryesore në sigurimin e furnizimit të besueshëm të energjisë. Më shumë se 50% e energjisë elektrike në Kosovë përdoret nga sektori i banimit, 80% e së cilës përdoret për ngrohjen e ujit dhe hapësirës. Kjo është mbi standardet e BE-së për konsumin e ekonomisë familjare.

Cilat janë masat e kursimit të energjisë që mund të zbatohen në ndërtesat e banimit? Fondacioni i Mileniumit të Kosovës synon t‘i informojë qytetarët e Kosovës dhe të rrisë ndërgjegjësimin e tyre rreth këtyre masave dhe përfitimeve të tyre përmes implementimit të Pilot Stimujve për Aktivitetin e Efiçiencës së Energjisë. Një nga objektivat kryesorë të këtij aktiviteti do të jetë sigurimi i stimujve dhe mbështetjes teknike për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë. Duke marrë parasysh që ulja e kostove të jetesës dhe përmirësimi i kushteve të jetesës janë qëllime të përhershme në sektorin e banimit, pronarët e shtëpive dhe përdoruesit në Kosovë duhet të marrin në konsideratë një ose më shumë nga masat e mëposhtme të efiçiencës së energjisë. Ju mund të gjeni edhe më shumë ide këtu!

Vlerësimi i energjisë në shtëpi i kryer nga profesionistët e caktuar, paraqet hapin e parë që shqyrton shtëpinë tuaj si një e tërë, duke treguar sasinë e energjisë së konsumuar dhe sasinë e humbjes së energjisë, si tregues të nivelit të efiçiencës së energjisë. Për më tepër, ky vlerësim tregon gjithashtu se ku janë defektet që shkaktojnë humbje të energjisë, qofshin ato të një natyre strukturore (p.sh. muret, çatitë), teknike (p.sh. efiçienca e pajisjes elektrike), apo të sjelljes (p.sh. lënia e dritave ndezur). Mund të habiteni nga vendet e zbuluara ose sjellja përmes të cilave rrjedh energjia nga shtëpia juaj. Vlerësimi i energjisë në shtëpi gjithashtu tregon se cilat masa duhet të merren për t‘i eliminuar këto defekte, disa prej të cilave paraqiten më poshtë.

Izolimi termik dhe mbyllja me qëllim të zvogëlimit të humbjeve të nxehtësisë përmes mureve dhe çative gjatë dimrit, si dhe parandalimin e ngrohjes së padëshirueshme gjatë verës. Në zbatimin e kësaj mase, është e rëndësishme të përcaktohet saktësisht se cilat lloje të materialeve izoluese janë të nevojshme dhe në cilat dimensione, për të cilat nevojitet vlerësimi i energjisë në shtëpi. Edhe pse qytetarët e Kosovës në terma të përgjithshëm kanë informacione për përfitimet e izolimit termik, pjesa prej 80% e përdorimit të energjisë elektrike në ndërtesa për ngrohje tregon se kjo masë duhet të zbatohet në shumicën e rasteve. Me përjashtim të uljes së faturave, kjo masë siguron gjithashtu komoditet të përmirësuar të jetesës. Dhe mos të harrojmë se rinovimi i fasadave gjithashtu ofron mundësi për t’i dhënë pamje të re shtëpisë tuaj.

Zëvendësimi i dritareve dhe dyerve të jashtme për t‘i zvogëluar humbjet e energjisë. Është e nevojshme t‘i zgjidhni dritaret dhe kornizat me specifikime që i plotësojnë kërkesat e efiçiencës së energjisë, të cilat mundësojnë funksionin kryesor të dritareve për ndriçim, por në të njëjtën kohë sigurojnë izolim të mjaftueshëm termik. Në fund të ditës, kujt nuk i pëlqen të shijojë pamjen dimërore me një filxhan çaj pranë dritares brenda një shtëpie të ngrohtë.

Instalimi i furrës me efiçiencë të lartë që lejon ngrohje me cilësi të mirë me një kosto të arsyeshme për karburantin, duke eliminuar kështu varësinë nga energjia elektrike për ngrohje. Këto lloje të furrave po bëhen të disponueshme në treg vitet e fundit dhe janë shumë më efiçiente sesa furrat e vjetra. Investimi në blerjen dhe instalimin e këtyre furrave rezulton në kursim të energjisë dhe rritje të rehatisë në shtëpi.

Zgjedhja e pajisjeve shtëpiake me efiçiencë të energjisë duke filluar nga pajisjet e vogla dhe ndriçimi, te ato më të mëdha si bojlerë, soba ose makina larëse. Për fat të mirë, në vitet e fundit, furnizimi i pajisjeve me efiçiencë të energjisë në treg po rritet, duke e bërë më të lehtë zgjedhjen e pajisjeve më adekuate. Investimet e nevojshme për blerjen e këtyre pajisjeve kthehen përmes uljes së faturave të energjisë elektrike. Dhe të kesh pajisje të reja në shtëpi e bën jetën shumë më të lehtë.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja…

Menaxhoni konsumin e energjisë elektrike! Përkundër të gjitha masave të paraqitura më lart, sjellja jonë mbetet thelbësore për të mbetur efiçient ndaj energjisë. Pra, duhet të pyesni veten nëse vërtet ju duhet të mbani të gjitha ato drita të ndezura gjatë mbrëmjeve dhe netëve. A ju duhen vërtet të gjitha ato pajisje elektronike të ndezura apo të mbani karikuesit të futur në prizë? Megjithëse mund të duket se këto pajisje nuk kërkojnë nivel të lartë të konsumit elektrik, në fund të muajit konsumi nga këto pajisje përbëhet nga një përqindje jo aq e vogël e faturës të energjisë elektrike (mund të arrijë afër 10% të faturës). Pra, keni kujdes nga ky konsum “i fshehur”. Kjo do t‘iu ndihmojë të mbani shtëpinë tuaj efiçiente ndaj energjisë dhe faturat e energjisë elektrike të ulëta. Dhe mbase iu mban larg përdorimit të panevojshëm të televizorëve, kompjuterëve ose telefonave dhe t’iu lejojë të bëni më shumë biseda me të dashurit në shtëpinë tuaj. Sepse nuk është e nevojshme të jesh i lidhur në çdo moment të jetës tënde.

Potenciali për kursime përmes masave të efiçiencës së energjisë është i lartë, dhe kjo është e rëndësishme për çdo familje kosovare. Ky është element thelbësor për t’iu mundësuar familjeve që të kenë qasje në financimin e masave të efiçiencës së energjisë në shtëpitë e tyre. Dhe paratë e kursyera nga faturat e reduktuara të energjisë elektrike mund të përdoren më vonë për nevoja të tjera familjare, siç janë përmirësimet e mëtejshme të strehimit, shëndetësia, arsimi dhe koha cilësore së bashku. Ose mund të përdoren edhe për investime në biznes… dhe sektori i efiçiencës së energjisë duket premtues.

Vigan Perani është Specialisti i Efiçiencës së Energjisë në Fondacionin e Mileniumit në Kosovë. Opinionet në këtë blog mund të mos pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat e Qeverisë së Kosovës ose Korporatës Sfidat e Mileniumit.

Fotografi nga Flutura Gërxhaliu/Wikimedia Commons.

Firm Login

Lost your password? x