Mbështetja amerikane për gjeneratën e re të grave lidere
Intervista me Robert Denson, President i Kolegjit Des Moines në Iowa, pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Fondacionit të Mileniumit të Kosovës dhe DMACC që mundëson arsimimin e pesë grave kosovare në këtë kolegj të mirënjohur. Studimet do të përqendrohen në degë dy-vjeçare, të lidhura me energjinë. Z. Denson shpjegoi rëndësinë e këtij programi për krijimin e gjeneratës së re të grave lidere në sektorin e energjisë.
Pyetje: Z. Denson, kur do të fillojë kolegji juaj të ofrojë bursa për gratë e Kosovës?
Sot nënshkrova marrëveshjen me z. Petrit Selimi nga Fondacioni i Mileniumit të Kosovës, që do të bëjë të mundur që pesë gratë e para t’i fillojnë studimet në Des Moines në vjeshtën e vitit 2019. Ky është zhvillim i rëndësishëm dhe ne mezi po i presim këto gra, përderisa ato po përgatiten të fitojnë njohuri dhe aftësi praktike për t’u bërë udhëheqëse në fushën e energjisë në Kosovë. DMACC ka një përvojë të gjatë në lëndët që janë të lidhura drejtpërdrejt me sektorin privat të energjisë.
Pyetje: Cilat do të jenë kualifikimet e nevojshme dhe kur mund të aplikojnë gratë kosovare për bursa?
Ne do të diskutojmë javët e ardhshme me MGFK në Prishtinë për të hartuar një proces konkurrues dhe të drejtë për aplikimet. Mësimi është në anglisht dhe kolegji është në Amerikë, kështu që gjuha angleze do të jetë një kërkesë, por unë e kuptoj se MFK do të shikojë që të ketë kurse intensive për ata kandidatë që nuk flasin anglisht. DMACC po mbulon tarifat e shkollimit, ndërsa MFK përmes lehtësimit të mbështetjes së sektorit privat, do të mbulojë të gjitha kostot e tjera gjatë qëndrimit në Des Moines, kështu që nuk ka asnjë parakusht financiar. Nuk ka gjithashtu asnjë kufizim moshe, kështu që ne shpresojmë të pranojmë një grup të larmishëm të grave kosovare.
Pyetje: Pse jeni përqendruar në ofrimin e bursave për sektorin e energjisë dhe jo të shkencave shoqërore ose shkencave mjekësore?
DMACC është një nga shkollat më të mira të infermierisë në këtë pjesë të vendit, por Fondacioni i Mileniumit të Kosovës është përqendruar të ndihmojë sektorin e energjisë në Kosovë për të adresuar mungesën e grave. Unë e kuptoj që ata po fillojnë një program të madh për të ndihmuar Kosovën të adresojë çështje të tilla si energjia e ripërtërishme dhe efiçienca e energjisë, por industria e energjisë ka nevojë për punëtorë të kualifikuar. Programi ynë i përbashkët do të ndihmojë në fillimin e adresimit të këtij problemi. Fushat që do t’i mbulojmë janë të ndryshme, nga menaxhimi i turbinave me erë tek energjia diellore për efiçiencë të energjisë në ndërtesa.
Pyetje: Pse Iowa ka treguar një interesim të tillë për të bashkëpunuar me Kosovën? Atje ka shumë delegacione?
Iowa dhe Kosova janë zyrtarisht shtete simotra përmes një marrëveshje të nënshkruar gati 10 vjet më parë. Kjo marrëveshje bazohet në bashkëpunimin ushtarak, por në rastin e Iowa-s dhe Kosovës ka lulëzuar në të gjitha fushat e tjera. Në Des Moines mund të blini verë Stonecastle në dyqanet tona, mund të takoni kosovarë të ndryshëm nga të gjitha sferat e jetës duke zhvilluar takime me homologët e Iowa-s dhe Kosova është i vetmi vend me konsullatë në Iowa. Shumë njerëz ndihmuan në ndërtimin e kësaj miqësie, jo vetëm Gjenerali Orr i Gardës Kombëtare të Iowa-s.
Memorandumi i Mirëkuptimit që ne nënshkruam po hap një dritare tjetër të bashkëpunimit në arsim. Më duhet të plotësoj z. Petrit Selimi dhe ekipin e tij të cilët kanë qenë të shkëlqyeshëm në kontaktin me sektorin privat amerikan dhe bënë të mundur që ne të fillojmë me bashkëpunim tani. Programi i bursave do të jetë i hapur për kolegje të tjera amerikane dhe synon të sjellë shumë më shumë gra të Kosovës gjatë viteve të ardhshme për studime në fushat e lidhura me energjinë, me ndihmën e qeverisë amerikane dhe kompanive private. Është një ide e shkëlqyeshme praktike dhe ne jemi krenarë që jemi pjesë e këtij zhvillimi masiv.
Kjo intervistë është botuar në Gazeta Express të Kosovës më 21.12.2018. Opinionet e shprehura në këtë intervistë mund të mos pasqyrojnë mendimet e MFK-së ose MCC-së.
Foto nga DMACC