Fokusi i HER është sigurimi i subvencioneve për amvisëritë kosovare për të investuar në pajisje të cilat do të zvogëlojnë konsumin e energjisë, si dhe mbështetja e ndryshimit të sjelljes drejt efiçiencës së energjisë.
Një nga objektivat kryesore të HER është testimi dhe vleftësimi i qasjeve stimuluese me kostot më efektive për grupet e ndryshme të përfituesve, si dhe ofrimi i qasjeve më të mira për ndryshimin e sjelljes, të cilat mund të përshkallëzohen përtej Programit të Pragut të MFK-së (MFK Threshold Program).
Pjesëmarrja në paketën e ndërhyrjeve HER do të jetë e hapur për ndërtesat e banimit individual (përfshirë shtëpitë individuale dhe banesat individuale) në mbarë Kosovën, ku niveli i stimulimit përcaktohet nga një gamë e kritereve të lidhura me objektivat mjedisore, sociale, ekonomike dhe teknike të RELP-it. Rinovimet për efiçiencë të energjisë që kualifikohen për paketën e ndërhyrjeve të HER do të prioretizohen varësisht nga auditimet energjetike dhe buxhetore, por pritet që kryesisht të përfshijnë të mëposhtmet:
- Përmirësimin e izolimit termik të jashtëm (mure dhe kulme);
- Dritaret dhe/ose dyert e jashtme me efiçiencë të energjisë (izolim kundër erës, ku është e mundshme);
- Izolimi i elementeve të mbështjellësve të ndërtesave kundër motit;
- Ngrohës të ujit me efiçiencë të energjisë (përfshirë ngrohës termik diellorë të ujit ku është e mundshme);
- Stufa dhe kaldaja me efiçiencë të energjisë;
- Llamba ndriçimi me efiçiencë të energjisë.