Subvencionet për Efiçiencë të
Energjisë në Kosovë

SEEK është një program pilot i cili adreson furnizimin joadekuat të energjisë elektrike në Kosovë. SEEK do të përqendrohet në uljen e konsumit të energjisë elektrike në sektorin e banimit përmes subvencioneve dhe stimujve të tjerë për të inkurajuar familjet të investojnë në masa të efiçiencës së energjisë. Në përfundim të Programit SEEK, mbi 2000 shtëpi dhe banesa do të bëhen më efiçiente në energji përmes rinovimeve dhe promovimit të përdorimit të pajisjeve efiçiente të ngrohjes. Gjithashtu, SEEK ka një fokus specifik tek gratë dhe do të investojë në masa të efiçiencës së energjisë për bizneset në pronësi të grave.

Problemi kyç, ndikimi dhe shkaku rrënjësor

Furnizimi me energji elektrike është joadekuat dhe nuk i përmbushë kërkesat e përdoruesve fundorë, çka ndikon në ekonominë e Kosovës përmes mungesës në ofertë-kërkesë, gjë që e zvogëlon rendimentin ekonomik dhe e rritë koston e furnizimit me energji elektrike, kryesisht për shkak të rritjes së importeve gjatë pikut të kërkesës për energji elektrike në stinën e dimrit.

Shkaku rrënjësor është identifikuar në intensitetin ekstensiv të energjisë elektrike në sektorin e banimit të Kosovës. Ndërkohë, kërkesa për energji elektrike në Kosovë është rritur vitet e fundit, mesatarisht me rritje prej 2.7% në vit. Amvisëritë janë konsumatorët kryesorë të energjisë elektrike me 55% të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike. Konsumatorët industrial dhe komercial (shumë prej të cilëve janë objekte publike) kapin 24% dhe 20% të konsumit, respektivisht. Rreth 25% e qarkullimit të firmave mikro dhe 4% e qarkullimit të kompanive të mëdha investohet në gjenerimin e energjisë alternative (gjeneratorë dizell, karburante dhe mirëmbajtje) me qëllim të shmangies së furnizimit jo të sigurtë me energji elektrike. Nuk janë bërë investime të gjera nga amvisëritë për t’i ulur kostot e energjisë. Ende një numër i madh i ndërtesave në Kosovë nuk kanë qasje të kursimit të energjisë me mbështjellës termik të ndërtuar dobët. Amvisëritë me nivel të ulët dhe të mesëm të të ardhurave shpenzojnë mesatarisht 13% të të ardhurave për energji, dhe afërsisht 14% e amvisërive më të varfra shpenzojnë mbi 30% të të ardhurave për energji.

Për më tepër, ekziston një vetëdije e ulët për përfitimet dhe kursimet e kostos gjatë ciklit jetësor të investimit në masat e efiçiencës së energjisë, shoqëruar me mungesën e qasjes në kapital dhe mundësive për t’i parapaguar ato investime, ndërsa ata që dëshirojnë të investojnë, gjetja e auditorëve të energjisë dhe pagesa për auditimet të cilat do t’i identifikojnë ndërhyrjet e duhura, paraqesin pengesa të mëtejshme për amvisëritë në rritjen efektive të efiçiencës së tyre të energjisë. Për më tepër, bizneset raportojnë se amvisëritë zakonisht e zgjedhin opsionin më të lirë të disponueshëm në ndërtim, në vend të opsioneve që mund t’u sjellin kursime në afat të gjatë. Për t’i shmangur ndërprerjet e shtuara të energjisë, Kosova do të duhet të përdorë shumë më pak energji elektrike ose të shfrytëzojë burime të reja të energjisë elektrike, ose nga brenda shtetit ose përmes importit.

Zgjidhja dhe rezultatet e pritura

Si pjesë e Projektit të Pejsazhit të Sigurtë Energjetik (RELP) të MFK-së, SEEK-u do të bëjë përmirësime në efiçiencën e energjisë në sektorin e ndërtesave të banimit përmes përmirësimeve në mbështjellësin e ngrohjes rezidenciale, përmirësimeve të pajisjeve me efiçiencë të energjisë, ndryshimit të sjelljes për ta përmirësuar konservimin e energjisë, dhe përdorimit më të madh të burimeve më efiçiente të ngrohjes.

Përmes paketave të SEEK-ut për ndërhyrje mund të presim ngritje të vetëdijes lidhur me përfitimet e efiçiencës së energjisë nëpër amvisëri, rritje të investimeve në masat e efiçiencës së energjisë, ndërsa kursimet e fituara do të përdoren për mirëqenie ose aktivitete tjera ekonomike.

 

Kur shkallëzohet, kostoja e furnizimit me energji elektrike do të ulet për shkak të zvogëlimit të kërkesës dhe presionit mbi transmisionin e energjisë elektrike dhe infrastrukturën e distribucionit, duke rezultuar në furnizim më të sigurtë me energji, ndërkohë që ndërprerjet më të pakta do t’i ulin importet e shtrenjta të energjisë elektrike, që rezulton në tarifa më të ulëta të energjisë për konsumatorët.

Përmes Paketave të Rinovimit për Efiçiencë në Njësitë e Banimit (HER) dhe Rinovimeve për Efiçiencë në Ndërtesa Shumë-Banesore (AER), SEEK-u do të sigurojë stimuj financiarë për sektorin e banimit për të mundësuar investime në masa të efiçiencës së energjisë – veçanërisht nga amvisëritë me të hyra të ulëta ose të cenueshme, me nivele të ndryshme të stimulimit varësisht nga të ardhurat ose zbritjes – dhe ndërtimit të kapaciteteve për ofruesit e mundshëm të shërbimeve të efiçiencës së energjisë për të zhvilluar projekte të efiçiencës së energjisë dhe posaçërisht për t’i përmirësuar shkathtësitë e auditimit të energjisë.

 

Fokusi primar teknik i ndërhyrjeve të SEEK-ut janë masat e efiçiencës së energjisë që do ta zvogëlojnë konsumin e energjisë elektrike për ngrohje dhe promovojnë përdorimin e pajisjeve të ngrohjes me efiçiencë të energjisë, si dhe stimujt që synojnë rritjen e përfshirjes së grave në mundësitë e biznesit në sektorin energjetik, dhe investimet e efiçiencës për bizneset në pronësi të grave.

Subsidies for Energy Efficiency in Kosovo (SEEK)
Powered by MFK and MCC Implemented by GFA and HPC