Date: 17.04.2021

MM i nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe MFK mbi Transparencën e të Dhënave në Cilësinë e Ajrit

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) e Republikës së Kosovës, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi në mbështetje të #DigData: Projekti i Sfidës së Cilësisë së Ajrit. Sarah Olmstead, Drejtoreshë e MCC për Kosovë ishte e pranishme në ceremoninë e nënshkrimit.

 

Drejtori Ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi dhe Ministri i MEA, Blerim Kuqi, riafirmuan bashkëpunimin e tyre për të rritur disponueshmërinë e të dhënave për cilësinë e ajrit, duke synuar fuqizimin e qytetarëve të Kosovës për të marrë vendime të bazuara në të dhëna dhe për të ndërmarrë masa konstruktive.

Kjo marrëveshje do të mundësojë gjithashtu disbursimin e 200,000 Euro për fituesit e Sfidës për të Dhëna të Hapura #DigData, kushtuar parandalimit dhe zbutjes së efekteve të ndotjes së ajrit.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, finalistët e sfidës DigData: Internews Kosova, Rea, Bonevet, Llogarite, do të fillojnë implementimin e projekteve të tyre inovative, duke synuar sigurimin e pilotëve dhe zgjidhjeve të përqendruara në shkaqet, efektet, rreziqet dhe parandalimin e ndotjes së ajrit për publikun e gjerë.

Ministri Kuqi, konfirmoi angazhimin e MEA për të punuar ngushtë me MFK në përmirësimin e disponueshmërisë publike dhe përdorimin analitik të të dhënave për një qeverisje më transparente dhe të përgjegjshme. Ai deklaroi se mbështetja financiare e dhënë për shoqërinë civile, akademinë dhe sektorin privat nga MFK do të ndihmojë në krijimin e një bashkëpunimi më të mirë ndërmjet institucioneve dhe publikut në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë.

Drejtori Ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi, falënderoi MEA-në për mbështetjen e dhënë gjatë procesit dhe aplikimin e standardeve dhe kërkesave për të dhëna të hapura të cilat do të ndihmojnë shoqërinë për të kuptuar dhe përdorur më mirë të dhënat e cilësisë së ajrit dhe për të propozuar mënyra konkrete për të zbutur shkaqet dhe efektet e ndotjes së ajrit.

Në fund të vitit të kaluar, përmes #DigData sfidës për të dhëna të hapura, MFK ftoi të gjithë specialistët e të dhënave të hapura, krijuesit e opinioneve, startup-et, shoqërinë civile, sektorin privat, akademinë, gazetarët, dizajnerët, inovatorët e teknologjisë dhe zgjidhësit kreativ të problemeve për të propozuar zgjidhje kreative bazuar në të dhënat e hapura nga Qeveria e Kosovës (AKMM/IHMK/IKSHP) dhe/ose të dhëna të tjera të besueshme, të verifikuara nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare për të informuar qytetarët e Kosovës për:

– të dhënat e cilësisë së ajrit dhe

– cilat hapa të bazuar në të dhëna duhet ndërmarrë për të zbutur ndikimin negativ të cilësisë së dobët të ajrit

Firm Login

Lost your password? x