Fjalimi i Ambasadorit Kosnett në Kamp / Ceremoninë e Mbylljes #WiSciKosovo
Zonja dhe zotërinj, studentë dhe shkencëtarë – mirëdita. Është kënaqësi e madhe të bashkohem me kolegët e mi nga Zyra e Ambasadës së Korporatës së Sfidës së Mileniumit, dhe njerëzit nga Girl Up dhe INTEL dhe mbështetësit e tjerë të WiSciKosovo, për të uruar 100 gra të reja këtu sot – nxënëse të shkollave të mesme nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe SH.B.A. – të cilat gjatë javëve të kaluara kanë punuar si një ekip për të mësuar rreth shkencës dhe për veten e tyre. Të fillojmë të ndërtojmë një të ardhme që shfrytëzon energjinë dhe potencialin e grave të reja. Një e ardhme ku njerëzit kalojnë kufijtë dhe thyejnë barrierat. Kjo është një e ardhme në të cilën mund të shpresoj.
Gjatë javëve të kaluara, pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të zhyten në lëndët STEAM – STEAM, që nënkupton Shkencën, Teknologjinë, Inxhinierinë, Artet dhe Dizajnin dhe Matematikën – për t’u zhytur në lëndët STEAM së bashku me kolegët e tyre dhe për t’i zhvilluar aftësitë e tyre udhëheqëse, në një ambient emocionues ndërkulturor. WiSciKosovo synon të trajtojë drejtpërdrejt problemin e qasjes së pabarabartë të grave në vendet e punës në STEAM.
Shumë njerëz, shumë organizata janë duke qëndruar me 100 “STEMinistet” tona të ardhshme – sapo e kam mësuar atë fjalë dhe po e dua! Këshillimi nga ekspertët e industrisë dhe miqësia me kolegët globalë janë dy elementë të një recete të suksesshme që GirlUp ka përdorur në nëntë kampe të tjera nëpër botë.
Përveç Girl UP, unë do të doja t’i falënderoja të gjithë partnerët e përfshirë në realizimin e këtij kampi: Fondacioni i Mileniumit në Kosovë, Intel Corporation, Korporata e Sfidës së Mileniumit, Odat Ekonomike Amerikane, Coca-Cola, Bechtel, Microsoft, NASA, Departamenti Amerikan i Energjisë dhe partneri ynë Ambasadat Amerikane në rajon.
Një nga arsyet që ky program është kaq i veçantë është se në Kosovë, si kudo në Ballkan, gratë nuk kanë pjesë të barabartë dhe pjesëmarrje në ekonomi. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës është kritike për plotësimin e nevojave të sektorëve në rritje, si energjia dhe kompjuterët. Fuqizimi i grave të reja në të gjithë këtë rajon do të forcojë inovacionin, rritjen dhe vetë-mjaftueshmërinë për të gjithë rajonin. Nxitja dhe krijimtaria që këto gra të reja sollën në WiSci dhe të zhvilluara më tej në program, do të sjellin mundësi për veten e tyre, komunitetet e tyre, vendet e tyre – dhe botën.
Tani, më lejoni t’iu drejtohem drejtpërdrejt “STEMinisteve” tona.
Së pari, urime për përfundimin e programit! Unë pres të dëgjoj nga disa prej jush sot për projektet tuaja përfundimtare të ekipit. Unë ju inkurajoj që t’i ktheni këto përvoja në vendet tuaja të lindjes, komunitetet, shkollat dhe familjet tuaja dhe t‘i ndani të gjitha mësimet që keni mësuar në lidhje me njohuritë teknike, aftësitë drejtuese dhe vullnetin e mirë ndër-kulturor. Dhe shpresoj se do të ktheni histori edhe për Kosovën – për njerëzit e ngrohtë dhe mikpritës që keni takuar dhe vaktet e shijshme që keni shijuar dhe të gjithë gjumin që keni humbur. Unë e di që do të ktheheni në shtëpitë tuaja të gatshëm dhe të etur për të frymëzuar brezin e ardhshëm të grave të reja, siç na keni frymëzuar të gjithë ne.
Para se të vazhdojmë më tej, më lejoni t’iu lë me fjalët e dy grave të mëdha Amerikane. Nga astronautja Dr. Mae Jemison: “Mos lejoni askënd t’ju vjedhë imagjinatën, kreativitetin ose kuriozitetin tuaj. Është vendi juaj në botë; është jeta juaj. Vazhdoni dhe bëni gjithçka që mundeni me të dhe bëjeni jetën që dëshironi ta jetoni.” Dhe nga shkrimtarja e ndjerë e trillimeve shkencore Ursula Le Guin: “Hapi i parë nga fëmijëria bëhet në të njëjtën kohë, pa shikuar para ose prapa, pa kujdes dhe asgjë të mbajtur në rezervë.”
Zonja – shkencëtare – e ardhmja është e juaja. Shkoni fitojeni!